Kalimi në energjinë e gjelbër dhe investimet në infrastrukturë nuk janë më një opsion, por një investim në të ardhmen e vendit, në pavarësinë energjetike, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë, theksoi drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Ljatifi, në Forumin e tetë me radhë të Energjisë në Maqedoni – MEF 2025. Duke e ditur se prodhimi i energjisë së rinovueshme është shpesh i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm, ky proces është veçanërisht sfidues – tha ai – dhe për të menaxhuar këto efekte, sistemit i nevojitet stabilitet, fleksibilitet dhe investime intensive.
Deri më tani, Shoqëria ka regjistruar mbi 80 aplikime për lidhjen e burimeve të energjisë së rinovueshme në rrjetin e transmetimit, me një kapacitet të përgjithshëm prej 9.000 MW. Në afat të shkurtër, vlerësohet se sistemi ynë mund të integrojë deri në 1.500 MW energji të rinovueshme. Flekibiliteti është siguruar përmes 200 MW rezervave sistemore për balancim të përshtatshëm. Në përgjithësi, rrjeti i transmetimit është i zhvilluar mirë në aspektin topologjik, por në rajonet ku janë të përqendruara burimet e mundshme të energjisë së rinovueshme, rrjeti lokal i transmetimit nuk ka kapacitet të mjaftueshëm – theksoi Ljatifi në panelin ku u diskutua për financimin e ambicies energjetike.
Përmes planifikimit të kujdesshëm dhe strategjikisht të saktë, MEPSO menaxhon me sukses dy nga proceset më kritike për të ardhmen energjetike të vendit – sigurimin e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe integrimin dinamik të burimeve të energjisë së rinovueshme.
Këto procese paralele janë të ndërlikuara dhe kërkojnë një shkallë të lartë koordinimi, ekspertizë teknike dhe udhëheqje vizionare. Për arritjen e këtyre qëllimeve janë të domosdoshme: mekanizma të qëndrueshëm dhe afatgjatë financiarë, transformim teknologjik i infrastrukturës dhe bashkëpunim intensiv rajonal. Kreditë, grantet dhe ndihma teknike janë forca shtytëse e procesit të integrimit të burimeve të rinovueshme dhe sigurisë energjetike rajonale. Në këtë drejtim, qëllimet tona janë konkrete: modernizimi dhe digjitalizimi i rrjetit, rritja e kapaciteteve për ndërlidhje ndërkufitare, integrimi i tregut të energjisë elektrike dhe përgatitja teknologjike dhe institucionale për të pranuar një vëllim më të madh të burimeve të rinovueshme. Kjo nuk është vetëm një mision teknik – tha ai – por një detyrim strategjik ndaj së ardhmes së vendit dhe rajonit, theksoi Ljatifi në margjinat e forumit energjetik MEF 2025.
Forumi MEF 2025 bashkon në një vend institucionet qeveritare, ekspertë vendas dhe të huaj të energjisë, përfaqësues të industrisë, sektorit civil dhe organizatave ndërkombëtare – me një qëllim të përbashkët: të përcaktohet një rrugë e qëndrueshme, e drejtë dhe ekologjikisht përgjegjëse për zhvillimin energjetik të Ballkanit Perëndimor.