Sot dhe nesër, ShA MEPSO është nikoqiree seminarit strategjik dhe takimit të 109-të të Komitetit për zhvillim të sistemeve elektroenergjetike evropiane, që mbahen nën patronazhin e ENTSO-E (Shoqata evropiane e operatorëve të sistemeve të transmetimit të energjisë elektrike).
Këto dy ditë, Shkupi është qendra e dialogëve strategjikë për të ardhmen e rrjeteve elektroenergjetike, për inovacionet dhe planifikimin e infrastrukturës – një vend ku ekspertët udhëheqës energjetik evropian përcaktojnë drejtimet e ardhshme të zhvillimit të rrjetit elektroenergjetik.
Këto ngjarje zhvillohen në një moment kyç për tranzicionin energjetik të Evropës – në kohën e revizionimit të rregullores TEN-E dhe zhvillimit të të ashtuquajturit “Grids Package”.
Në fokusin e diskutimeve teknike dhe strategjike të nivelit të lartë janë: progresi i TYNDP 2026, analizat për sigurinë e furnizimit (ERAA), si dhe identifikimi i nevojave sistemore dhe investimeve të reja.
Qëllimi është i përbashkët: avancimi i vizionit energjetik evropian përmes shkëmbimit të njohurive, koordinimit të politikave dhe planifikimit të sinkronizuar drejt një sistemi më të qëndrueshëm, më fleksibil dhe më të integruar elektroenergjetik.
Jemi mbledhur këtu, jo vetëm si profesionistë nga e gjithë Evropa, por edhe si partnerë të përkushtuar në formësimin e së ardhmes së infrastrukturës energjetike. Në një sistem gjithnjë e më kompleks dhe të ndërlidhur elektroenergjetik, rëndësia e planifikimit të koordinuar të rrjetit evropian nuk mund të mbivlerësohet.
Tranzicioni drejt një sistemi energjetik të sigurt dhe fleksibil kërkon një vizion të përbashkët – dhe, më e rëndësishmja, veprim të përbashkët.
Mënyra se si i planifikojmë rrjetet tona të transmetimit sot, do të përcaktojë se sa me efikasitet do t’i përballojmë sfidat e së nesërmes – tha në hapje të takimit drejtori general I ShA MEPSO, Burim Latifi.
Komiteti për zhvillim të sistemit (SDC) ka një rol kyç në harmonizimin e planeve nacionale dhe rajonale për transmetimin e energjisë në një vizion të përbashkët pan-evropian – me qëllim krijimin e një rrjeti inteligjent, fleksibil, të gatshëm për sfidat e së ardhmes dhe për integrimin masiv të energjisë së rinovueshme.