Në vitin kur ShA MEPSO shënon 20 vjetorin e ekzistencës së saj, kompania përballet me një sërë sfidash dhe mundësishë që përcaktojnë jo vetëm zhvillimin e saj të ardhshëm, por edhe stabilitetin e të gjithë sistemit energjetik të Maqedonisë së Veriut. Sistemi i transmetimit mbetet një nyje esenciale në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, veçanërisht në një kohë kur kriza energjetike, ndryshimet klimatike dhe detyrimet evropiane në lidhje me integrimin e tregut, rrjetin e transmetimit dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë kërkojnë vendime strategjike si dhe të shpejta. Për investimet strategjike në sistemin e transmetimit, integrimin e BRE-ve dhe planet për një të ardhme më të zhvilluar, po bisedojmë me drejtorin gjeneral të ShA MEPSO, Doc.Dr. Burim Latifi.
Në gusht të vitit 2024, Ju pranuat sfidën e të qenit drejtor gjeneral i ShA MEPSO. Si u përballuat me këtë sfidë që nga profesioni i një profesorit, të marrësh përsipër drejtimin e një kompanie shtetërore energjetike, ku ndryshimet janë të shpejta dhe kërkohen vendime rrënjësore dhe të përgjegjshme?
Që të pranosh një pozitë si ajo e drejtorit gjeneral edhe atë pesë muaj para përfundimit të vitit 2024, ishte një sfidë e jashtëzakonshme, por në të njëtën kohë edhe nder dhe përgjegjësi e madhe. Ura e kalimit nga një rreth akademik, ku ushtroja detyrën e profesorit dhe merresha me hulumtime, drejt udhëheqjes së një kompanie nacionale elektrotransmetuese, ishte jo vetëm një ndryshim profesional, por edhe një transformim personal.
Si profesor fokusi im ishte analiza, mësimdhënia dhe zhvillimi i gjeneratave të ardhshme, mirëpo këtu në MEPSO përgjegjësia është më e madhe, pasi që vendimet që merren ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë e sistemit energjetik të vendit. Po përballemi me ndryshime dinamike në sektorin energjetik, në nivel global dhe rajonal, ndryshime të cilat rrjedhimisht kërkojnë përshtatje dhe vendimmarrje të përgjegjëshme, të shpejtë, por paraprakisht të analizuar në mënyrë të detajuar.
Sektori i energjetikës sot është nën presionin e një numri të madh faktorësh - tranzicioni energjetik drejt burimeve të ripërtëritshme, dixhitalizimi, nevojat energjetke në rritje dhe sfidat globale klimatike. Në MEPSO, jo vetëm që bëjmë analizën e këtyre çështjeve, por gjithashtu në mënyrë aktive po punojmë për të gjetur zgjidhje që do të mundësojnë stabilitetin dhe modernizimin e rrjetit tonë elektrotransmetues.
Qëllimi ynë kryesor është sigurimi i stabilitetit të sistemit dhe të punojmë në zhvillimin e tij duke integruar teknologji të reja, përforcim të infrastrukturës dhe rritje të besimit tek opinioni. Jam i kënaqur që përkundër periudhës së shkurtër në këtë pozitë, tashmë po shoh progres në realizimin e projekteve të modernizimit, si dhe në përkushtimin e ekipit të MEPSO-s, menaxhmentit dhe të gjithë punonjësve që janë shtylla kryesore e kësaj kompanie. Gjatë zbatimit të çdo vendimi, udhëhiqem nga përgjegjësia që kam si drejtues i një kompanie shtetërore me rëndësi jetike për vendin tonë, por edhe si individ që dëshiron të lë gjurmë në transformimin e sektorit energjetik të vendit tonë .
Çfarë viti prisni nga pikëpamja energjetike në një situatë ku çmimet e energjisë elektrike në bursat botërore janë vazhdimisht në rritje, ESM importon energji elektrike, konsumi po rritet dhe hidroakumulimet nuk janë në nivelin e duhur?
Gjatë vitit 2025 Sektori energjetik në vendin tonë do të ballafaqohet me një sfidë mjaft të madhe, veçanërisht në aspektin e lëvizjeve globale të çmimeve të energjisë elektrike dhe rrethanave lokale. Në kushte të tilla, ShA MEPSO, si pjesë esenciale e sistemit energjetik, ka për detyrë që të sigurojë transmetim të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë elektrike. Kjo arrihet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me të gjitha subjektet në sektorin energjetik, posaçërisht me ESM-në dhe furnitorët, për planifikim dhe menaxhim të përpiktë të bilancit energjetik.
Këtë vit fokus do të vëndohet në rritjen e efikasitetit të sistemit dhe minimizimin e humbjeve, por edhe sigurimin e ndërhyrjeve emergjente aty ku është e nevojshme, posaçërisht në rastet e ndërprerjeve të mundshme të furnizimit ose rritjes së kërkesës.
Gjithashtu, situata me hidro akumulimet kërkon një menaxhim racional të këtyre resurseve. Do të ketë nevojë për përpjekjeje maksimale për të arritur qëllimin e shfrytëzimit optimale të kapaciteteve të disponueshme të vendit, si dhe importi i energjisë elektrike në kohë, kur do të shfaqet nevoja pët të. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohet qëndrueshmëria financiare dhe të minimizohen kostot e importit, duke pasur parasysh se kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe konsumatorin e fundit.
Pa marrë parasysh sfidave, njëkohësisht kjo paraqet edhe një mundësi për investime shtesë në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe modernizimin e infrastrukturës. Kemi vendosmëri të përshpejtojmë tranzicionin drejt një sistemi të qëndrueshëm energjetik dhe të investojmë në dixhitalizim dhe automatizim, gjë që do të rrisë stabilitetin e rrjetit dhe do të ulë kostot e operimit për një periudhë afatgjatë.
Presim një vit plot sfida, por edhe mundësi për të treguar se mund t'i përballojmë në mënyrë të suksesshme. Me planifikim, përgjegjësi dhe koordinim të duhur, jemi të bindur se do të sigurojmë një sistem energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe kompanitë në vend.
Ndryshe nga dy tremujorët e parë të vitit 2024 kur Shoqëria regjistroi humbje, tremujori i tretë shënoi rritje të fitimeve. Cili është shtegu që duhet të garantojë investime produktive drejt ndërtimit dhe menaxhimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm elektroenergjetik në mënyrën më transparente?
Fakti që tremujorin e tretë të vitit e përmbyllëm me një rezultat financiar pozitiv, tregon se strategjitë dhe ndryshimet që ndërmorrëm në udhëheqësinë e Shoqërisë po japin rezultate. Që në ditën e parë, fokusi ishte vënë mbi rritjen e efikasitetit, racionalizimin e kostove dhe përmirësimin e proceseve operative. Identifikuam dobësi të trashëguara nga udhëheqësia e mëparshme dhe morrëm masa të menjëhershme për tejkalimin e tyre.
Rrugën drejt investimeve produktive e shohim përmes disa prioriteteve jetike. Para se gjithash në investime infrastrukturore, sepse mirëmbajtja dhe modernizimi i rrjetit elektrotransmetues janë bazë për një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Po punohet për zbatimin e projekteve kapitale për rikonstruksionin dhe ndërtimin e stacioneve të reja të transformatorëve dhe linjave të transmetimit apo largpërçuesve, si dhe për futjen e teknologjive moderne për monitorimin dhe menaxhimin e rrjetit. Si kompani me interes publik, detyrimi ynë është që çdo investim të jetë sa më transparent. Po përforcojmë kontrollin mbi prokurimin publik, kemi futur mekanizma për parandalimin e parregullsive dhe çdo hap i ynë është i dokumentuar dhe i disponueshëm për publikun, në një mënyrë të qartë.
Kemi marrë masa konkrete për përmirësimin e likuiditetit dhe përdorimit racional të mjeteve dhe paralelisht po punojmë për tërheqjen e mjeteve shtesë përmes fondeve evropiane dhe partneriteteve me institucionet ndërkombëtare për financimin e projekteve të reja mjaft të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, në mënyrë aktive po punojmë për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin e transmetimit, një proces që kërkon jo vetëm korigjime dhe plotësime teknike, por edhe planifikim proaktiv, për të siguruar kapacitet për transmetim të qëndrueshëm të energjisë elektrike nga burime të reja prodhimi.
Synimi ynë nuk është vetëm të arrijmë sukses financiar afatshkurtë, por edhe të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm që do të jetë një shtyllë e ekonomisë dhe një partner i besueshëm për qytetarët dhe ekonominë. Vizioni ynë është një sistem elektrotransmetues i qëndrueshëm, i besueshëm dhe modern, i cili do të zhvillohet mbi bazën e transparencës, përgjegjësisë dhe inovacionit.
Këtë vit, në shenjë të shënimit të 20 vjetorit të ShA MEPSO, e filluat me lëshim në përdorim të transformatorit të ri 400/110 kV në TS Manastir 2, por nga ana tjetër Ju ndërpretë Kontratën për ndërtimin e linjës interkonektive me Republikën e Shqipërisë. Cilat janë aktivitetet që po ndërmerren për t'i rikthyer gjërat në drejtimin e duhur?
Jemi vërtet të kënaqur që shënuam 20 vjetorin e ShA MEPSO me lëshimin në funksion të transformatorit të ri 400/110 kV në TS Manastir 2. Ky objekt infrastrukturor është pjesë thelbësore e infrastrukturës energjetike sepse siguron një furnizim stabil me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë në Ohër, Strugë, Resnjë, Manastir dhe Prilep, si dhe forcon qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e sistemit të transmetimit në përgjithësi. Rrjeti ynë ishte i ekspozuar ndaj një rreziku serioz, veçanërisht për shkak të defekteve të dy transformatorëve, të cilët krijuan rrezik real të kolapsit të të gjithë sistemit elektroenergjetik.
Paralelisht me këtë projekt, po punojmë edhe në projekte tjera të rëndësishme që do të forcojnë stabilitetin e rrjetit tonë, si rikonstruksioni i linjave ekzistuese të dhe stacioneve të transformatorëve.
Për sa i përket ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e linjës interkonektuese me Republikën e Shqipërisë, kjo ishte një vendim i domosdoshëm. Arsyet e zgjidhjes së kontratës u identifikuan në mungesën e një zbatimi adekuat të projektit nga ana e kontraktorit, gjë që mund të sjellte pasoja të rënda për afatet dhe cilësinë e projektit. Synimi ynë parësor është të sigurojmë që të gjitha projektet e infrastrukturës të realizohen në përputhje me standardet më të larta dhe brenda afateve të dhëna.
Pas ndëprerjes së kontratës, filluam revizion të plotë të projektit të linjës interkonektive. Është duke u përgatitur dokumentacioni i ri për prokurim publik që do të përfshijë kritere të larta për zgjedhjen e një kontraktori, për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, po formojmë një ekip të veçantë që do të mbikëqyrë të gjitha aspektet e projektit, që nga planifikimi deri në ekzekutim, me fokus në cilësinë dhe efikasitetin. Ky projekt është i një rëndësie strategjike për të gjithë rajonin. Në këtë kontekst, jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët nga Shqipëria, si dhe me institucionet kompetente në kuadër të BE-së dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që mbështesin projektin, për të siguruar koordinim dhe mbështetje mbi realizimin e tij.
Ndërtimi i linjës interkonektive me Shqipërinë, mbi të gjitha është një nga projektet më të rëndësishme të lidhjes energjetike në rajon dhe ne jemi të vendosur ta përfundojmë me sukses. Ky projekt jo vetëm që do të përmirësojë sigurinë e furnizimit, por do të mundësojë edhe transmetim më efikas të energjisë elektrike ndërmjet dy vendeve, që ka një peshë jetike në tranzicionin energjetik të të gjithë rajonit. Me masat e marra dhe me përkushtimin, jemi të bindur se do të tejkalojmë të gjitha pengesat e mundshme dhe do ta realizojmë projektin sipas planit.
Për ta përmbledhur, dmth ndërprerja e kontratës me kontraktorin – “Energoinvest”, në fakt paraqet fillimin e përfundimit të këtij projekti mjaft të rëndësishëm.
Cilat investime në sistemin e transmetimit do të jenë në fokus të Shoqërisë në vitin 2025? Çfarë dinamike prisni në realizimin e projekteve për të mundësuar nga njëra anë tranzicion të energjisë në kohë dhe të sigurt dhe nga ana tjetër ruajtjen e stabilitetit të sistemit elektrotransmetues?
Gjatë këtij viti fokusi kryesor i ShA MEPSO do të jenë investimet në modernizimin dhe zhvillimin e sistemit të transmetimit. Prioriteti ynë është zbatimi i projekteve që do të forcojnë infrastrukturën, do të mundësojnë integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të krijojnë kushte për menaxhim më efikas dhe të sigurt të rrjetit elektroeergjetik.
Krahas ndërtimit të linjës së interkoneksionit me Shqipërinë, fokusi ynë do të jetë në modernizimin dhe përmirësimin e stacioneve ekzistuese të transformatorëve si dhe rikonstruksionin e linjave ekzistuese që janë të një rëndësie mjaft kritike për stabilitetin e sistemit. Dhe sigurisht, forcimi i kapacitetit të transmetimit (evakuimit) të rrjetit në rajonet ku pritet rritje e kërkesës apo prodhimit. Investimet do të jenë në drejtim të krijimit të kushteve për lidhjen e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, që përfshin ndërtimin e infrastrukturës së re për lidhjen e termocentraleve me erë dhe ato diellore, si dhe rritjen e kapaciteteve transmetuese në rajonet me potencial prodhues.
Po vazhdojmë me implementimin e sistemeve të menaxhimit të rrjeteve dixhitale, duke përfshirë sistemet SCADA për monitorim dhe kontroll në kohë reale. Këto teknologji janë esenciale për reagimin në kohë dhe të sigurt ndaj ndryshimeve në sistem dhe për menaxhimin efikas të dinamikës në rritje të tranzicionit energjetik.
Jemi duke punuar në projektin për rikonstruksionin e linjës 110 kV nga TS Manastir 2 - TS Prilep, pastaj në një projekt për prokurim të pajisjeve dhe ndërtim të një instalimi nëntokësor të kabllove optike, gjithashtu po punohet në projektin për rikonfigurim të rrjetit në rajonin e Pollogut, ndërsa në fazën përfundimtare është rikonstruksioni i i linjës 110 kV nga TS Gostivar përmes TS Oslomej, TS Kërçovë, TS Sopotnicë deri në TS Manastir 1.
Për të gjitha projektet kemi vendosur afate ambicioze por realiste, me etapa të qarta të për zbatimin e tyre. Sigurohen resurse shtesë për përshpejtimin e procedurave dhe vëmendje e veçantë do t'i kushtohet planifikimit në kohë të aktiviteteve që varen nga partnerët ndërkombëtarë dhe vendas. Kemi futur koordinim të zgjeruar dhe menaxhim të projektit për të shmangur vonesat dhe për të siguruar që mjetet të përdoren në mënyrë efektive.
Me një strategji të definuar, koordinim efektiv dhe përkushtim të ekipeve tona, kemi besim se brenda vitit 2025, do të ketë një prosperitet të dukshëm drejt një sistemi elektrotransmetues të qëndrueshëm dhe modern i cili do të jetë i gatshëm t'i përgjigjet nevojave të tranzicionit energjetik.
Si po përballet MEPSO me sfidat e parashtruara nga skenari i gjelbër i Strategjisë nacionale të zhvillimit të energjisë, pra zbatimi i rregulloreve evropiane dhe ndjekja e angazhimeve strategjike të BE-së? Cilat janë hapat që ndërmer MEPSO për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin elektrotransmetues?
Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) është një proces kompleks që kërkon modernizim teknik, ndryshime rregullatore dhe investime financiare. Për t’u përgjigjur investimeve të shtuara në BRE dhe për të ofruar mundësinë e integrimit të tyre në sistem pa cënuar stabilitetin e rrjetit, po planifikojmë të ndërtojmë infrastrukturë të re në rajonet ku shfaqet potencial i theksuar për prodhimin të elektranave me erë dhe diellore.
Kemi filluar modernizimin dhe zgjerimin e stacioneve të transformatorëve për të siguruar kapacitete për integrimin e objekteve të reja prodhuese. Një shembull i tillë është ndërtimi i trafostacionit të ri në afërsi të Gjevgjelisë dhe rinovimi i linjës 110 kV për të lidhur mbi 1000 megavat të burimeve të ripërtëritshme që aktualisht nuk janë në funksion për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të rrjetit në këtë rajon. Projekti i ndërlidhjes me Shqipërinë do të lehtësojë edhe eksportin dhe importin e energjisë së gjelbër.
Një nga projektet me rëndësi të theksuar është projekti për zhvillimin e rrjeteve inteligjente elektroenergjetike, të cilin po e nisim në bashkëpunim me BERZH-in. Ky projekt ka për qëllim avancimin e mundësive për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në vend dhe është bazë për investimet e ardhshme dhe për adresimin e sfidave në rrjetin elektrotransmetues. Maqedonia e Veriut ka një objektiv që deri në vitin 2030 të integrojë mbi 1.7 GW energji të ripërtëritshme dhe që kjo të realizohet, kërkohet një studim i detajuar i zhvillimit të rrjetit që do të adresojë qartë sfidat për integrimin e BRE-ve. Hulumtimi studimire duhet të shërbejë për të përditësuar planin 10-vjeçar të zhvillimit të rrjetit (TYNDP) dhe përgatitjen e një plani të fuqishëm investimi për të mundësuar një tranzicion të pandërprerë si të rrjetit të transmetimit ashtu edhe të shpërndarjes.
Për sa i përket sinkronizimit me direktivat evropiane, MEPSO zbaton standardet e BE-së të pakos së tretë dhe të katërt energjetike me theks të veçantë në rregullat për menaxhimin e sistemeve elektrotransmetuese, transparencën dhe mosdiskriminimin në qasje në rrjet. Gjithashtu marrim pjesë aktive në iniciativat rajonale të lidhjes energjetike, siç janë projektet e mbështetura nga Komuniteti energjetik dhe BE. Nëpërmjet partneriteteve me institucionet financiare ndërkombëtare, si BERZH dhe BEI, sigurojmë mjete për modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e projekteve të gjelbra.
Një sfidë prioritare është zbatimi i rregullores evropiane dhe realizimi i projektit Market Coupling-ER CACM. Drei në cilën stadë është procesi i bashkimit të tregjeve dhe cilat janë problemet që hasen?
Zbatimi i Market Coupling, gjegjësisht bashkimi i tregut të energjisë, paraqet një sfidë të rëndësishme për ShA MEPSO, por në të njëjtën kohë një mundësi për integrimin e plotë të vendit tonë në tregun rajonal dhe evropian elektroenergjetik. Ky proces është i një rëndësie strategjike, pasi do të mundësojë alokim efikas të kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike, uljen e kostove dhe rritjen e konkurrencës në treg.
Themeli për këtë integrim është hedhur përmes disa memorandumeve të mirëkuptimit. Në vitin 2018 Maqedonia e Veriut nënshkroi një marrëveshje me Bullgarinë, e ndjekur nga marrëveshje të ngjashme me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën. Në vitin 2023 gjithashtu u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi midis të gjitha vendeve për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike – day ahead dhe krijimin e një tregu të vetëm të energjisë elektrike që do të lidhet me tregun evropian.
Megjithatë, ka sfida të caktuara për faktin se në periudhën paraprake shumë gjëra nuk ishin përfunduar me kohë. Para së gjithash, është e nevojshme miratimi i legjislacionit të ri. Për këtë arsye Ministria e energjetikës dhe burimeve minerale ka punuar intensivisht muajt e fundit për përgatitjen e Ligjit të ri për Energjetikë, i cili pritet të kalojë së shpejti në Kuvend. Krahas kësaj, kërkohet shumë punë dhe harmonizim të metodologjive ndërmjet secilit prej vendeve në të cilat po zbatohet lidhja. Kjo i përket harmonizimit ndërmjet operatorëve elektrotransmetues, bursave të energjisë elektrike, organeve rregullatore dhe ministrive, si dhe institucioneve përkatëse të BE-së.
Nga pikëpamja teknike, MEPSO është duke punuar në modernizimin e sistemeve të saj të menaxhimit dhe monitorimit, duke përfshirë infrastrukturën e IT-së dhe platformat e shkëmbimit të të dhënave në kohë reale, të cilat janë të nevojshme për integrimin e suksesshëm në Market Coupling. Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë punojmë në zhvillimin dhe testimin e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave, menaxhimin e kapaciteteve dhe optimizimin e proceseve tregtare. Marrim pjesë aktive në nismat e Bashkësisë energjetike për integrimin e tregut dhe ndjekim praktikat më të mira nga vendet që kanë zbatuar tashmë Market Coupling.
Edhe krahas sfidave të shumta, shpresojmë që me përkushtim dhe bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe evropianë, projekti " Market Coupling " të realizohet me sukses. Lidhja me tregun evropian energjetik do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për qytetarët ashtu edhe për bashkësinë e biznesit, pasi që do të lehtësojë aksesin në kapacitetet transmetuese ndërkufitare dhe do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve të energjisë elektrike, duke siguruar çmime më reale dhe konkurruese. Përveç kësaj, do të ofrojë më shumë mundësi për furnizim të energjisë elektrike gjatë periudhave me kërkesë më të lartë.
Cili është këndvështrimi juaj për të ardhmen energjetike të vendit? A mendoni se Maqedonia e Veriut mund të jetë ndonjëherë e pavarur energjetikisht?
Pavarësia energjetike është një synim afatgjatë që kërkon një qasje strategjike, investime të mëdha dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet të gjithë palëve – Qeverisë, kompanive energjetike, sektorit privat dhe qytetarëve. E ardhmja energjetike e vendit tonë varet nga aftësia jonë për të zbatuar tranzicion të plotë energjetik, të fokusuar në diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe menaxhim efikas të burimeve. Megjithëse pavarësia energjetike është një koncept kompleks dhe ambicioz, me investimet dhe politikat e duhura, qasje strategjike, ky synim në një afat të gjatë mund të bëhet realitet.
Maqedonia e Veriut ka potencial të konsiderueshëm për prodhimin e energjisë nga burimet diellore, të erës dhe ato hidro. Investimi i shpejtë dhe strategjik i këtyre teknologjive do të zvogëlojë varësinë nga importet e energjisë dhe do të rrisë produktivitetin vendor. Termocentralet diellore dhe të erës, si dhe modernizimi i hidrocentraleve duhet të jenë në qendër të strategjisë sonë.
Gjithashtu, me reduktim të humbjeve në sistem dhe duke rritur efiçencën në përdorimin e energjisë, si në industri ashtu edhe në amvisëri, pra duke aplikuar teknologji moderne dhe politika të efiçiencës së energjisë, mund të ulim presionin mbi kapacitetet prodhuese dhe rrjetin.
Për më tepër, duke qenë se sistemi i transmetimit dhe ai distributiv është baza për furnizim të qëndrueshëm, me investime të rëndësishme në modernizimin e rrjetit do të mundësojnë integrimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe do të zvogëlojnë rreziqet e ndërprerjeve. Për balancim të sistemit esenciale do të jenë Teknologjitë e ruajtjes apo magazinimit, si sistemet e baterive dhe hidrocentralet e magazinimit, veçanërisht për shkak të rritjes së peshës së BRE-ve, të cilat karakterizohen nga ndryshueshmëria në prodhim.
Me zhvillim të kapaciteteve të brendshme, rritjes së efiçencës së energjisë dhe duke vendosur bashkëpunimin rajonal, mund të sigurojmë stabilitet dhe siguri energjetike për brezat e ardhshëm. Synimi ynë duhet të jetë në qëndrueshmërinë, kursimin dhe prezantimin e zgjidhjeve inovative që do ta shtyjnë sektorin energjetik drejt një epoke të re zhvillimi.