Më 24.11.2025, në ambientet e MEPSO-s u mbajt një prezantim dhe diskutim publik lidhur me vendosjen e modelit të ri për alokimin e kapaciteteve të transmetimit të kufijve të Maqedonisë së Veriut me Serbinë dhe Bullgarinë. Para përfaqësuesve të Komisionit Rregullator për Energetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale, Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para, Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO dhe një numri të madh pjesëmarrësish në tregun e energjisë elektrike (tregetarë, furnizues etj.), u prezantua procesi i zbatimit të rregullave të reja për alokimin afatgjatë (vjetor dhe mujor) dhe afatshkurtër (ditor) në kufijtë MEPSO–ESO (Republika e Bullgarisë) dhe MEPSO–EMS (Republika e Serbisë), të cilat, duke filluar nga 1 janari 2026, do të zbatohen përmes Zyrës së Përbashkët të Alokimit të BE-së – JAO (Joint Allocation Office) me seli në Luksemburg, si e vetmja zyrë e njohur për alokime brenda ENTSO-E.
Procesi i anëtarësimit në JAO, të cilin MEPSO e zhvilloi në koordinim me operatorët e Bullgarisë dhe Serbisë, zgjati më pak se një vit dhe përfshiu disa faza. Së pari u harmonizuan qëndrimet e tre operatorëve për braktisjen e modelit bilateral të mëparshëm të alokimit, i cili bazohej në marrëveshje dypalëshe dhe zgjidhje softuerike. Më pas u dorëzua Kërkesa për anëtarësim në JAO dhe u formalizua bashkëpunimi, pas së cilës ekipet teknike filluan harmonizimin e Rregullave të Alokimit dhe përgatitjen e sistemeve IT për shkëmbimin e informacioneve me platformën e JAO.
Një parakusht kyç për anëtarësimin e MEPSO-s në JAO ishte edhe miratimi i Harmonised Allocation Rules (HAR), të miratuara nga ACER, pastaj të pranuara nga MEPSO dhe aktualisht në pritje të miratimit formal nga Komisioni Rregullator për Energetikë. HAR është plotësisht në përputhje me Rregulloren e Komisionit (BE) 2016/1719 për Alokimin e Kapaciteteve Afatgjata, me çka sigurohet që minimumi 70% i kapacitetit të transmetimit të vihet në dispozicion përmes ankandeve.
Testimi i integrimit të sistemit, pra shkëmbimi i skedarëve të të dhënave midis MEPSO-s dhe JAO-s, u përfundua me sukses. Mbetet vetëm hapi i fundit – miratimi nga Komisioni Rregullator për Energetikë, i cili pritet të finalizohet deri në fund të muajit. Ndërkohë, pjesëmarrësit në tregun e energjisë elektrike duhet të regjistrohen në kohë në platformën e JAO-s, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në ankandet vjetore për vitin 2026, të cilat pritet të fillojnë në dhjetor 2025.

