SHA MEPSO, Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe RTE International, sot kanë nënshkruar një marrëveshje për grant, me të cilën sigurohet ndihmë teknike e drejtuar për modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit të transmetimit në Maqedoninë e Veriut, si hapa thelbësorë për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, uljen e humbjeve teknike, rritjen e efikasitetit të sistemit, si dhe përgatitjen e rrjetit për pjesëmarrje më të madhe të burimeve të ripërtëritshme dhe integrim në nivel rajonal.
Duke theksuar përkushtimin e kompanisë ndaj përsosmërisë teknike dhe disiplinës në realizim, drejtori gjeneral, doc. dr. Burim Ljatifi, tha:
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, i forcojmë partneritetet tona strategjike dhe e ndërtojmë kapacitetin teknik të nevojshëm për një rrjet transmetimi modern. Projekti pilot për digjitalizim, i fokusuar në zhvillimin e një nënstacioni plotësisht digjital me sisteme të avancuara për mbrojtje, menaxhim dhe mbikëqyrje, paraqet një hap konkret drejt transformimit të MEPSO-s në një operator të rrjetit të transmetimit më të zgjuar, më efikas dhe të orientuar drejt së ardhmes.”
Sipas drejtoreshës ekzekutive të RTE International, projekti do të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë së vendit për tranzicionin energjetik.
Marrëveshja bashkon modelimin e avancuar të sistemit elektroenergjetik, parashikimin inovativ të rezervave duke përdorur inteligjencën artificiale dhe një projekt pilot për digjitalizimin e një nënstacioni prej 110 kV – një hap vendimtar drejt një rrjeti elektroenergjetik më të qëndrueshëm, më transparent dhe më konkurrues,” tha ajo.
Duke theksuar përkushtimin e agjencisë në mbështetjen e partnerëve maqedonas, François Vince nga AFD për Ballkanin Perëndimor njoftoi hapjen e një zyre lokale në Shkup.
Projekti është i fokusuar në katër fusha: përgatitja e studimeve për përshtatshmërinë e sistemit duke përdorur simulatorin e tregut ANTARES, dimensionimi i rezervave sistemore, krijimi i metodologjisë për llogaritjen e humbjeve në transmetim dhe përgatitja e një studimi të fizibilitetit, si dhe përgatitja e një dizajni konceptual për digjitalizimin e nënstacionit.




